
Prokuroria e Tiranës ngre dyshime për një person të tretë të përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës, ngjarje e ndodhur në qershor 2020 në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet. Dyshimet janë krijuar pas përftimit të një gjurme ADN në një nga automjetet e përdorura në vrasjes.
Në lidhje me këtë material gjenetik prokuroria ka marrë kampione krahasuese nga të dyshuarit e arrestuar Viktor Marku dhe Sebastian Mali, por edhe të një personi të tretë, që aktualisht ndodhet në burgun e Reçit në Shkodër.
Sipas burimeve pranë prokurorisë, ai dyshohet të ketë qenë i lirë në kohën e krimit dhe mund të ketë qenë pjesëmarrës në vrasje. Për këtë shkak, do të bëhet krahasimi i profilit të ADN-së së tij dhe gjurmës së gjetur në automjet.
Hekuran Billa u qëllua për vdekje mbrëmjen e 11 qershorit 2020, në afërsi të Komunës së Parisit. Ai ishte në lëvizje, me makinën e tij tip BMW X6 kur u qëllua në lëvizje. Viktima me origjinë nga Kukësi, mori plagë në kokë dhe në trup nga breshëria e automatikut. Vrasja dyshohet se është kryer për hakmarrje, pasi Billa ka vrarë në Angli në vitin 2006 Prel Markun, ndërsa la të plagosur tre persona të tjerë, Petrit Brahon, Agron Gjonin dhe Musa Rrahmanin. Për ngjarjen janë arrestuar vëllai i Markut dhe nipi i tij, por edhe ish e dashura e Billës, e cila dyshohet se e nxori në pritë, për t’u ekzekutuar. (A2 Televizion)