
Me gjithë dyshimet e kryebashkiakes së Shkodrës për manovra të kryebashkiakëve të majtë për të tërhequr padinë e bërë prej saj në Kushtetuese, ligji ia lë në dorë gjyqtarëve kushtetues fjalën e fundit për të ndërprerë ose jo shqyrtimin e ligjshmërisë së zgjedhjeve të qershorit 2019.
Ligji mbi të cilin funksionon Gjykatës Kushtetuese, përcakton se kjo gjykatë vendos të pushojë çështjen, nëse kërkuesi heq dorë nga padia para nisjes së gjykimit të saj.
Por situata ndryshon nëse shqyrtimi i kërkesës paraqet interes publik. Në këtë rast, sipas të njëjtit nen, Gjykata Kushtetuese vendos të mos pranojë heqjen dorë nga padia dhe të vijojë shqyrtimin e saj.
Nga ana tjetër, ndonëse Kushtetuesja ka vendosur të kalojë për shqyrtim çështjen në janar 2020, ende nuk është caktuar një datë për seancën e parë të padisë së depozituar nga Ademi si drejtuese e Shoqatës së Bashkive. (A2 Televizion)