Xhixho: Vendimet për opozitën janë detyrim kushtetues, jo dhurata të mazhorancës

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 17:19 | Politikë

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ftuar në emisionin “Ditari i Pasdites” me Pandi Gjatën në A2CNN, komentoi zhvillimet e fundit politike, protestat e qytetarëve dhe raportin mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend.

Duke folur për pakënaqësitë qytetare dhe protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit, Xhixho deklaroi se në sheshe kanë dalë qytetarë të Tiranës, të cilët, sipas saj, po përballen me vështirësi ekonomike, probleme në sistemin arsimor dhe shëndetësor, si dhe me largimin e familjarëve jashtë vendit.

Ajo u shpreh se pakënaqësia ndaj qeverisjes është e lidhur drejtpërdrejt me problematikat e përditshme të qytetarëve, ndërsa shtoi se, sipas saj, kryeministri Edi Rama po përballet me një situatë të vështirë politike.

“Qytetarët e Tiranës kanë dalë në shesh për hallet dhe shqetësimet e tyre. Nuk ia dalin dot me rrogat që marrin, ndërsa familjarët e tyre po largohen jashtë vendit. Janë të gjitha këto probleme që i kanë nxjerrë qytetarët në shesh”, u shpreh Xhixho.

Në vijim, ajo komentoi edhe zhvillimet parlamentare, ku pritet të diskutohet raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë përmes një mocioni me debat, të planifikuar për datën 10 dhjetor, si dhe çështja e ngritjes së një komisioni parlamentar për zgjedhjet e një viti më parë.

“Nuk janë dhurata. Nuk e pranoj dot. Ato janë të drejta të opozitës. Ju kanë mohuar çdo lloj kërkese dhe të drejte, prandaj ju duket si dy dhurata për opozitën”, deklaroi ajo.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos