
Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendim sa i takon kompetencave të presidentit për dekretimin e ministrave.
Me unanimitet, shtatë anëtarët e gjykatës kanë vendosur pushimin e gjykimit sa i takon mosmarrëveshjes, duke bërë edhe interpretimin përfundimtar të normës kushtetuese me qëllimin shmangien e konflikteve të ardhshme.
Sipas gjykatës, të tre institucionet e përfshira në emërimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar, Presidenti, Kryeministri dhe Kuvendi, kanë të drejtë të verifikojnë dhe të vlerësojnë emrat që shkojnë për miratim, por duke detyruar palët që të shprehen brenda afateve që përcakton Kushtetuta. Interpretimi i këtij neni kushtetues nga gjykata duket se i jep përgjigje pyetjes nëse presidenti do ta dekretojë qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, duke e detyruar këtë të fundit të japë aprovimin e anëtarëve të kabinetit të ri qeveritar, por pa i hequr të drejtën për të dhënë qëndrimet e tij. (A2 Televizion)