Video e momentit kur një i moshuar, i cili po dërgohej në morg, “ngjallet”, u përhap me shpejtësi me rrjetet sociale në Kinë. Pamjet u filmuan të dielën në një lagje të Shangait, një prej qyteteve më të populluara kineze, i cili është gjunjëzuar nga një valë e ashpër e koronavirusit.
Autoritetet po përpiqen me çdo kusht të frenojnë përhapjen e virusit në qytetin me 25 milionë banorë, por emergjenca ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi cilësinë e shërbimit dhe aftësinë e punonjësve shëndetësorë.
Në videon e publikuar online, punonjësit me veshje të posaçme shihen teksa marrin një person, që sipas tyre ishte i vdekur, të mbështjellë me qese plastike, për ta dërguar në morg. Më pas ata shihen që hapin qesen dhe dëgjohen të thonë se pacienti është ende gjallë. Pas incidentit, katër persona janë pushuar nga puna nga autoritetet rajonale shëndetësore. (A2 Televizion)