
Emigrantët e paligjshëm nga Shqipëria vazhdojnë të jenë kryefjalë e debateve politike në Britaninë e Madhe. Në qendër të vëmendjes ka qenë këto ditë deklarata e sekretares për punët e brendshme, Suella Braverman, e cila u shpreh këtë javës e Anglia jugore po përpallej me një “pushtim” nga emigrantët dhe akuzoi shumë shqiptarë se po abuzonin me ligjet e skllavërisë moderne të Mbretërisë së Bashkuara.
Në një intervistë për BBC mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri shqiptar Edi Rama, akuzoi Britaninë e Madhe se po i kthente në kokë turku qytetarët e vendit të tij, për të justifikuar politikat e dështuar mbi kufijtë dhe emigracionin. Deklarata e Braverman, sipas Ramës ishin një çmenduri dhe ushqenin ksenofobinë.
“Nuk ka të bëjë më një person, por me klimën që është krijuara; me faktin se po kërkohen koka turku dhe po fajësohen të tjerët. Nuk ka të bëjë me shqiptarët apo alienët apo gangsterët, por me politikat e dështuara mbi kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program e as vizion. Ajo nxit ksenofobi duke shënjestruar dhe veçuar vetëm një komunitet. Unë vlerësoj gjithçka që përfaqëson politika Britanike, por jam vërteti neveritur lidhur me këtë lloj politike e cila në fund është e destinuar të dështojë”, tha Rama.
Shqiptarët përfaqësojnë tani grupin më të madh të atyre që kalojnë kanalin e La Manshit më gomone. Sipas të dhënave që u janë treguar parlamentarëve, 12 mijë shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe përmes kanalit, që prej fillimit të vitit, krahasuar me 50 që ishin në 2020. Nga këto shkruajnë mediat në vend, 10 mijë ishin meshkuj, që siç thuhet përfaqësojnë 1 përqind të popullsisë së rritur mashkullore. Deklaratë për BBC e Ramës erdhi pasi kryeministri kishte shkruar më herët në Tëitter se Britania e Madhe po diskriminonte shqiptarët, për të zhvendosur vëmendjen nga politikat e dështuara. I pyetur lidhur me këto komente, ministri i emigracionit në Londër Robert Jenrick tha se dëshironte një marrëdhënie produktive me kryeministrin Rama, por tha se ishte e vërtetë se një numri konsiderueshme o djemve të rinj qe vijnë nga Shqipëria janë pjesë e krimit të organizuar.
“Unë dua të kem një marrëdhënie konstruktive më miqtë tanë shqiptarë. Por është e vërtetë se çereku i njerëzve që kanë ardhur me varka të vogla këtë vit janë nga Shqipëria dhe Organizata Kombëtare e Krimit ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e krimit të organizuar zë fill pikërisht tek këta individë”, u shpreh Robert Jenrick.
Të hënën, sekretarja për punë të brendshme, ra dakord me sugjerimet e deputetit konservatorit Lee Anderson se kriminelët shqiptarë po largoheshin nga një vend i sigurt për të ardhur në Britaninë e Madhe. Qeveria po harton një ligj për të rikthyer menjëherë mbrapsht emigrantët e paligjshëm shqiptarë qe shkojnë në ishull. (A2 Televizion)