
Pandemia Covid krahas problemeve me shëndetin e popullatës apo problemeve te ankthit, kashtuar edhe numrin e të rinjve të cilët konsumojnë lëndë narkotike të forta në qytetin e Korçës. Sipas specialistëve përdorimi i drogave të forta është një nga problemet më shqetësuese për të rinjtë.
Mjekja pranë Qendrës së Detoksikimit për të rinjtë, thotë se përveç të rinjve, mes personave qe paraqiten për ndihmë, janë edhe moshat deri në 40 vjeç.
“Aktualisht pranë qendrës sonë marrin medikamente metadoni 85 persona. Në rritjen e numrit të tyre ka ndikuar edhe pandemia, ka pasur rritje të fluksit. Kemi nga të gjitha grupmoshat nga 18-35 vjeç dhe deri në 40-vjeçarë”.
Alarmant sipas mjekes së qendrës së detoksikimit në Korçë, është fakti që shumë persona të cilët e kishin lënë drogën i janë rikthyer sërish asaj, kjo për shkak të humbjes së punës, mos integrimit në shoqëri dhe mbylljes që krijoi pandemia.
“Ka pasur persona që gjatë trajtimit kanë bërë ndërprerje të heroinës dhe metadonit, por duke pasur vështirsi nga pandemia në punësim, shumica e tyre janë pjesë e depresionit, problemet mendore e shoqërore dhe janë detyruar të rikthehen pranë qendrës sonë”.
Në këtë qendër vetëm nga qyteti i Korçës ka raste kur numri i personave që trajtohen shkon nga 80 deri në 120, ndërkohë që nuk ka shifra të sakta se sa të rinj të varur nga droga ka në të gjithë qarkun. (A2 Televizion)