
Zhvillimi i një shteti, varet nga brezat që ai arsimon. E pas tre dekadash demokraci, u desh një revoltë studentore për të kthyer vëmendjen nga truri i këtij vendi. Studentët kërkuan cilësi, treg pune të hapur për lehtësi në tarifa, ambiente laboratori e kushte në konvikte. Shumë u premtuan, por pjesa e tyre më e mirë, as në vitin 2021 nuk u plotësua. Madje as ripërsëritja e premtimit në vitin 2013, për ta çuar buxhetin e arsimit në 5%. Mosinvestimi i duhur ndaj studentëve dhe arsimit, shfaqi problematikat e paralajmëruara, e sidomos gjatë pandemisë. Vetëm 7% e studentëve jetojnë në konvikte, ndërsa pjesa më e madhe, enden në kërkim të banesave më të lira, për të përballuar jetesën, kryesisht në Tiranë.
Nëse do të kishte kampuse universitare, punësim apo bibliotekë universitare siç u premtua, studentëve do t’u lehtësohej një pjesë e shpenzimeve. Ndonëse tarifat e “bachelor”-it janë reduktuar, masteri është më i papërballueshëm. Ky mosinvestim në arsim, i shtyn studentët në një tjetër rrugë të vështirë, atë të emigrimit.
Dekurajimi për punë tek të rinj është i lartë, ku një pjesë e tyre e shohin të ardhmen përtej kufijve. Pakënaqësi e të rinjve zë fill që në gjimnaz, atëherë kur përgatiten për hapin final drejt formësimit profesional. Në këtë pikë, puna kryesore i mbetet ekzekutivit, për të nxitur arsimimin cilësor dhe qëndrimin e të rinjve.
Nga ana tjetër, Europa është e etur për profesionistë, të cilët Shqipëria i ka me shumicë. Kontingjenti i shqiptarëve që shohin përtej kufirit ka ndryshuar. Largimi i shqiptarëve, po ul gjithmonë e më tepër edhe lindjet në vend. Ndikimi ekonomik, padyshim që frenon edhe një familje të ketë më shumë se dy fëmijë. Ndonëse duan të shohin shenja optimiste, ekspertët thonë se edhe viti 2022 ka pak vend për ndryshim në cilësinë e arsimit, punësimin e të rinjve, si dhe krijimin e familjes në Shqipëri. Sipas tyre, nevojitet një frymë e re socialo-ekonomike, për të përmirësuar arsimimin e brezave dhe jetesën e sigurt në vendin tonë.
Viti 2021 nuk ishte pozitiv as për një nga sektorët më rëndësishëm që mbush arkën e buxhetit të shtetit, fermerët. Mungesa e subvencioneve, të cilat nuk i kalojnë më tepër se 10 milionë euro, detyroi qindra fermerë të protestojnë, e të revoltohen për mungesën e mbështetjes nga shteti. Protestat mbërritën deri në dyert e parlamentit, ku iu premtua një zgjidhje, por pa shumë detaje. Ajo çfarë qeveria shqiptare ka ofruar dhe ofron për fermerët, sipas ekspertëve është e pamjaftueshme.
Për vitin 2022, buxheti për bujqësinë sërish nuk premton shumë. Fondet kryesore vijnë nga skemat mbështetëse të Bashkimit Europian, teksa fermerët do të tentojnë një tjetër mënyrë për të kërkuar më tepër para. Projektligjet në parlament për bujqësinë po shihen si rruga më e sigurt që qeveria të kthejë sytë nga fermeri, duke hartuar ligje dhe lehtësira të reja. Në të kundërt toka nuk do të punohet, e fermerët nuk do të kenë asnjë interes për të prodhuar e për të shitur nën kosto, pa mbështetje financiare.
E nëse fermerët janë në vështirësi, sot naftëtarët nuk kanë një vend pune. Rafineria e Ballshit ka nisur të çmontohet. Qeveria nuk ka gjetur investitor për ta rivënë atë në punë, teksa naftëtarëve do t’u sigurohet një pagë minimale për 3 vite, deri sa të përshtaten një tjetër zanat. E megjithatë, kjo pagesë nuk mbulon pagat e prapambetura ndër vite. Pakënaqësi përgjatë këtij viti pati edhe nga personat me aftësi ndryshe. Përpara kryeministrisë, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, kërkuan kompensimin e munguar të indeksimit të pagave prej vitesh. Ndryshe nga kategoritë e tjera, për këta persona u arrit që qeveria të tërhiqej dhe të fuste në buxhetin e vitit 2022 shumën e konsiderueshme. Personat me dëmtim të shtyllës kurrizore do të kenë indeksimin e pagave, por për punësimin e tyre pak është folur dhe shumë është vështirësuar pranimi.
Shkak është bërë mosfunksionimi i programeve rehabilituese për këta persona, ndonëse infrastruktura nuk mungon. Rehabilitim të qendrave të shërbimit kanë kërkuar edhe shoqata e të verbërve, pasi godina është ekzistuese por nuk ka fond për zhvillimin e aktiviteteve.
Përgjatë vitit 2021, një fenomen shqetësues mori përmasa edhe më të mëdha, pedofilia. Të mitur që u ngacmuan seksualisht nga të moshuar, të afërm të familjes, në disa raste edhe nga prindërit e tyre. Janë me dhjetëra fëmijë të prekur, teksa sipas shoqatave të mbrojtjes së të miturve edhe për këtë vit nga autoritetet nuk është marr asnjë masë paraprake për parandalimin e rasteve të tilla.
Për herë të parë në Parlament, ka nisur shqyrtimi i një prej propozimeve të mbërritur nga shoqatat e mbrojtjes së fëmijëve për krijimin e “Regjistrin e krimeve seksuale”. Janë mbi 100 pedofilë që enden sot të lirë në të gjithë Shqipërinë, për të cilët duhet të ketë informacion për qytetarët rreth vendndodhjes, aktivitetit dhe sjelljes së tyre. Në vitin 2022, pritet që ky regjistër të jetë funksional, si një hap kryesor për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale. (A2 Televizion)