Egnatia frenon Vllazninë, Latifi polemika me Brdarić

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2021, 16:23 | Futboll
Egnatia frenon Vllazninë, Latifi polemika me Brdarić

Vllaznia është zyrtarisht në krizë. Pas startit të sezonit si pretendentë, kuqeblutë u frenuan në barazim 1-1 nga Egnatia dhe vazhdojnë të humbasin terren nga kreu.

Sfida në Rrogozhinë, që mbylli javën e tetë të Kategorisë Superiore nuk nxori asnjë fitues, edhe pse të dyja skuadrat kërkonin tre pikët, të cilat tashmë mungojnë prej tre ndeshjesh. Vendasit kaluan të parët në avantazh, me golin e shkëlqyer të Isenit, që nga distanca realizoi një goditje mjaft të bukur, përballë së cilës Zogovic nuk mund të bënte asgjë.

Vllaznia u kundërpërgjigj me Liridon Latifin, që në fundin e pjesës së parë shndërroi në gol një penallti të akorduar për kuqeblutë.

Në pjesën e dytë, traversa i mohoi golin Egnatias, pas tentativës së Imerit, teksa shkodranët pretenduan edhe për një tjetër 11-metërsh,por gjyqtari Bajramaj nuk e cilësoi të dënueshme prekjen e topit me dorë në zonë nga Ymeraliaj, pas tentativës së Latifit.

Pikërisht ylli i Vllaznisë u bë protagonist negativ pak çaste më vonë, sepse u përfshi në një polemikë të ashpër me trajnerin Brdaric, në momentin kur drejtuesi i stolit e zëvendësoi. Me vetëm një fitore në shtatë javët e fundit dhe me tensionin brenda skuadrës, që tashmë është shfaqur edhe publikisht, Vllaznia ka vetëm 10 pikë dhe mbetet në vendin e pestë në renditje, shumë e distancuar nga Tirana kryesuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos