
Kreu demokrat Basha zgjodhi që sot akuzat ndaj kryeministrit Rama t’i përqendrojë në gjendjen ekonomike në të cilën ndodhen shqiptarët. Sipas Bashës, qytetarët janë të varfër sepse janë të vjedhur. Në një video të publikuar në Facebook, kreu i opozitës rendit arsyet me të cilat argumenton akuzat e tij.
“Varfëria, papunësia, mungesa e mundësive vijnë nga grabitja që po i bëhet Shqipërisë nga Edi Rama me një grusht klientësh. Pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur. Miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar nga Edi Rama këto 6 vjet, të gjitha kanë përfunduar në xhepat e tij ose janë shpërdoruar për tekat e tij në fasada dhe luks, ndërsa shqiptarët nuk sigurojnë dot bukën e përditshme”, citohet ndër të tjera në këtë video. (A2 Televizion)