Dalja në treg e prodhimit vendas, pavarësisht zhvlerësimit të euros, po i mban eksportet e produkteve bujqësore shqiptare në nivelet më të larta. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar u shitën në tregjet e huaja 52.6 mijë ton ushqime, pije dhe duhan nga 41.6 mijë ton në po të njëjtin muaj të një viti më parë duke regjistruar një zgjerim me 26.5 për qind.

Ecuri e ngjashme rezulton edhe në vlerë, ku si pasojë e eksporteve, kompanitë shqiptare kanë përfituar 6.53 miliardë lekë apo rreth 61 milionë euro, shifër kjo 24.6 për qind më e lartë e prillin e 2022-shit.

“Pse ka ndodhur kjo rritje? Një punë e jashtëzakonshme fermerëve tanë prodhues, një punë e jashtëzakonshme e tregtarëve, eksportuesve, standartizuesve të produkteve ushqimore dhe një zinxhiri që po forcohet dita-ditës i cili punon në mënyrë të ndërvepruar me njëri-tjetrin”, tha ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.
Në harkun e muajve janar-maj, sasia e eksporteve të produkteve ushqimore shqiptare ka arritur në 162 mijë tonë u rritur me 15.3 për qind krahasuar me një vit më parë.

Përkthyer në para', të dhënat zyrtare tregojnë për një zgjerim në 5-mujorin e parë me 11.3 për qind.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tregoi edhe artikullin, vlerë të shtuar në këtë ecuri. “Vetëm eksporti i vajit të ullirit dhe këtu po ndalem, ka siguruar të ardhura 26 herë më të larta dhe meritë kjo është puna dhe prodhimi i mbarë që ne kemi pasur po edhe marrëveshja me Qeverinë Italiane. Ministri i Bujqësisë së Italisë ishte këtu në fillim të vitit bashkë me një sasi sipërmarrësish që kanë lidhur kontrata me prodhuesit tanë”, tha Krifca.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vlerësoi se rënia e euros po ndikon pak në zhvlerësimin e të ardhurave të eksportuesve shqiptarë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, ndaj ecuria do të të monitorohet dhe nëse do të lindë nevoja do të ofrohet mbështetje. (A2 Televizion)