
Paralajmërimi për shtrenjtim të çmimit të energjisë për furrat e bukës që shesin edhe produktet të tjera, ka prodhuar reagimin e shoqatës së këtyre prodhuesve.
Sipas tyre, vendimi i Entit Rregullator të Energjisë krijon kosto, ndërsa zgjidhja që ofrohet prej entit, për ndarjen e sahateve, nuk shihet si e realizueshme.
“Ky vendim i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa dijeninë tonë nuk është i zbatueshëm, pasi do kërkonte jo vetëm objekte të ndara, por dhe dy certifikata pronësie, dy licenca tatimesh dhe kushte të tjera. Nga përvoja e deritanishme ka një ngërç dhe nxitje artificiale për të krijuar precedent pakënaqësie.”
GËZIM PESHKOPIA, KRYETAR I SHOQATËS BUKËS, PASTIÇERIVE DHE BRUMËRAVE
Sipas tarifave në fuqi për energjinë elektrike, subjektet “furra buke dhe prodhim mielli” në tensionin 0.4 kv paguajnë 7.6 lekë për kWh.
Ky çmim më i lirë edhe se ai që paguajnë familjarët, është vendosur si lehtësi për të mbajtur të ulët çmimin e bukës.
Por në rastet kur subjekti tregton gjithashtu bulmete, pije, etj., i kërkohet të paguajë me çmimin e rregullt të bizneseve të tjera.
Shoqata e Bukës, Pasticerive dhe Brumërave propozoi modelin e saj të tarifave, që do t’i jepte fund debatit që vazhdon tanimë prej vitesh.
“Furrat e bukës që prodhojnë dhe shesin bukë të jenë në ambient fizik të ndarë pa certifikatë pronësie dhe me sahat matës të veçantë, me tarifimin 7.6 lekë. Furrat që prodhojnë bukë dhe prodhime brumi, të kenë tarifimin alternative 9.5 lekë ose me grup të përbashkët, të caktohet dhe për prodhimin dhe shitjen e pastiçerisë dhe brumërave ku nuk ka prodhim buke, të jetë me tarifimin 140 lekë.”
GËZIM PESHKOPIA, KRYETAR I SHOQATËS BUKËS, PASTIÇERIVE DHE BRUMËRAVE
I pyetur nëse do të rritet çmimi i bukës në rast se nuk marrin ndihmë që kërkojnë nga qeveria, kryetari i shoqatës tha se ende nuk është marrë një vendim.
Sipas tij, janë rreth 4000 furra buke në të gjithë vendin që e paguajnë energjinë elektrike me një çmim preferencial prej 7.6 lekë. (A2 Televizion)