Ekuador, vritet prokurori që hetonte bandat e kokainës, shqiptarët me rol kyç në trafik

Nga A2 CNN
20 Shtator 2022, 23:14 | Bota

Një prej prokurorëve që hetonte krimin e organizuar në Guayaquil të Ekuadorit, ka mbetur i vrarë nga dy të rinj që u arrestuan 24 orë pas krimit nga policia vendase.

Edgar Escobar, prokuror i njësisë së personave dhe garancive në Guayaquil u qëllua për vdekje ditën e hënë, pak metra larg zyrës së tij, ndërsa mediat vendase raportojnë se vrasja me pagesë ka pasur si qëllim mesazhin për autoritetet hetimore.

Të gjitha dyshimet çojnë te tonelatat e kokainës që nisen nga qyteti-port i Guayaquilit, për t’u shpërndarë më pas kryesisht drejt Europës, ku edhe portet e Ballkanit kanë qenë shpeshherë zona transiti.

Vetëm në Durrës janë sekuestruar herë pas here sasi të konsiderueshme kokaine, mes pakove me banane që vinin nga Ekuadori, ndërsa linja është e shpërndarë edhe në Malin e Zi, Greqi, etj.

Prokurori Escobar, përgjatë këtij viti kishte ngritur akuza ndaj disa anëtarëve të një rrjeti të mirorganizuar kriminal që siguronte dërgesat e karteleve të kokainës, ndërsa po përpilonte aktet hetimore, duke përbërë një kërcënim serioz për trafikantët.

Ndonëse porositësit e kësaj vrasjeje me pagesë mbeten të paidentifikuar, dyshimet bien mbi bosët e drogës që menaxhojnë linjat e grumbullimit dhe shpërndarjes, ku shqiptarët kanë një rol tepër të rëndësishëm.

https://a2news.com/2021/09/07/lumi-i-kokaines-a2-cnn-ne-ekuador-si-funksionon-trafiku-i-droges-nga-guayaquil-ne-shqiperi/

Madje disa shqiptarë kanë mbetur të vrarë për pazaret e drogës, siç ishte rasti i Ergys Dashit, janarin e këtij viti, duke shtuar alarmin tek autoritetet vendase, të cilat madje në gusht të këtij viti vendosën të rikthenin vizat për shqiptarët që duan të shkojnë në Ekuador. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos