
Prokuroria e Elbasanit ka shansin të vërtetojë ose të hedhë poshtë pretendimet e Partisë Demokratike, mbi përdorimin e punonjësve të administratës për qëllime elektorale, ende pa nisur mirë fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit të ardhshëm.
Dega e Partisë Demokratike në Elbasan, ka denoncuar penalisht drejtorin e inspektoratit shtetëror të Shëndetit në këtë qytet për akuzën e përdorimit të funksionit publik, për veprimtari politike ose zgjedhore.
Kallëzimi ka marrë shkas nga pretendimet e PD, se drejtuesi i ISHSH Elbasan u ka shpërndarë vartësve një formular tip, ku punonjësit duhet të shënojnë emër, mbiemër, numrin e kartës ID dhe njësinë vendore ku voton, të dhëna këto që sipas PD nuk janë të nevojshme për natyrën e punës në këtë inspektorat. Prokuroria e Elbasanit ka konfirmuar dorëzimin e kallëzimit dhe e ka regjistruar atë, duke përcaktuar edhe prokurorin që do ta verifikojë. Të pyetur nga A2, burime pranë prokurorisë së Elbasanit bëjnë me dije se një kallëzim i tillë, ka nevojë për disa veprime hetimore për ta vërtetuar ose jo veprën penale të pretenduar.
Sipas të njëjtave burime, të parët që pritet të merren në pyetje do të jenë punonjësit e inspektoratit shtetëror të Shëndetit Elbasan, që do të pyeten se përse u është dhënë një formular i tillë dhe kush ka qenë qëllimi i shënimit të të dhënave të kërkuara në atë formular.
Më pas, radhën për t’u pyetur do ta ketë vetë drejtuesi i inspektoratit, i cili do të pyetet se cila ka qenë arsyeja e hartimit të një formulari të tillë, natyrisht duke iu referuar natyrës së punës në atë institucion. Një tjetër element mjaft i rëndësishëm si në pyetjen e punonjësve ashtu edhe të drejtuesit të institucionit që po hetohet, është fakti që ato vihen në dijeni paraprakisht që dëshmia e rreme, e dhënë përpara prokurorit, ose oficerit të policisë gjyqësore, përbën vepër penale të dënueshme nga ligji.
Pas verifikimit të dëshmive dhe provave materiale, prokuroria do të vendosë me pas nëse drejtuesi i ISHSH së Elbasanit ka përdorur ose jo funksionin publik për veprimtari politike ose zgjedhore. (A2 Televizion)