Ëmbëlsira që mashtroi Papën

Nga A2 CNN
25 Qershor 2023, 17:17 | Lifestyle

"Crostata di ricotta e visciole" (tartë me rikota dhe vishnja), një ëmbëlsirë që përgatitet kryesisht në Romë, thuhet se simbolizon zgjuarsinë dhe qëndrueshmërinë hebreje përballë shtypjes. Mirëpo, pas saj fshihen edhe më shumë histori.  

“Është një mashtrim, një recete perfekte për të mashtruar", thotë Ruben Bondi, një kuzhinier hebre. Pas kërkimeve të shumta, ai zbuloi se kjo tortë u krijua për t’iu shmangur një urdhri absurd që Vatikani kishte vendosur kundër hebrenjve. Në Kapitullin XXIV të Ediktit të Papa Piu VI, në shekullin e 18-të, hebrejve u ndalohej të shisnin djathë dhe produkte qumështi.

"Pse djathë?! Pa ndonjë arsye specifike, thjesht një formë për t’i poshtëruar hebrejtë. Kisha besonte se krishterimi duhej të zëvendësonte hebraizmin dhe ata bënë gjithçka për t'ua bërë të pamundur jetën hebrenjve. Argjendarëve nuk u lejohej të farkëtonin menorah, një simbol hebre që përdorej për ritualet fetare. Burrat dhe gratë hebreje duhej të mbanin një copë pëlhure të verdhë të qepur në kapelën e tyre, ata nuk mund të flisnin me të krishterët, si dhe nuk mund të nderonin me ritet e tyre të vdekurit. Gjithashtu, u ndaluan nga shumë aktivitete biznesi, duke përfshirë shitjen e djathit."

Iacopo Scaramuzzi, ekspert i Vatikanit  

Në një situatë të tillë të vështirë, furrtarët hebrenj shpikën “kalin e tyre të Trojës”: Crostata di ricotta e visciole. Ata e mbuluan tartën me një shtresë brumi, në mënyrë që askush të mos e shihte rikotën brenda saj dhe ta shisnin pa frikë. Vishnjat, një nga përbërësit e rëndësishëm të ëmbëlsirës, u sollën nga Azia në Romë nga hebrenjtë e parë që u vendosën aty, midis shekullit të 2-të para erës sonë dhe shekullit të parë pas Krishtit. Fillimisht, ata punonin si tregtarë, por më vonë shumica vuajti internimet dhe burgosjet gjatë luftës së parë hebreo-romake (66-73 e.s.). Fati i keq i ndoqi hebrejtë në epoka të ndryshme dhe vuajtje të tilla ata patën edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shumë prej këtyre pastiçerive ku gatuhej tarta e famshme, hebrejtë ranë në duart e nazistëve.

Përgatitja e recetës

Përbërësit

Për brumin:
150 g gjalpë të ftohtë pa kripë
130 g sheqer
1 limon të grirë
1 vezë të plotë
2 të verdha veze
kripë për shije
400 g miell

Për mbushjen:
800 g rikota
170 g sheqer
1 limon (opsionale)
400 g reçel vishnje

Metoda e përgatitjes

Hapi 1
Filloni me përgatitjen e brumit. Në një mikser hidhni gjalpin e ftohtë në copa të vogla, së bashku me sheqerin dhe lëkurën e limonit të grirë. Kur masa të ketë marrë një teksturë kremoze, shtoni vezët dhe vazhdoni të punoni brumin. Shtoni pak kripë dhe dalëngadalë miellin.

Hapi 2
Ndani brumin në dy pjesë të barabarta. Duke përdorur një okllai, filloni dhe punoni brumin. I lëmë në frigorifer për 30-40 minuta për të forcuar brumin.

Hapi 3
Tani përgatisni mbushjen. Vendosni rikotën në një tas dhe përzieni me sheqerin. Nëse dëshironi shtoni pak lëkura limoni.

Hapi 4
Ngrohni furrën. Vendosni brumin në tepsi me letër pjekjeje. Shpojmë brumin me pirun dhe më pas hedhim brenda reçelin e vishnjave dhe e shpërndajmë mirë. I hedhim përzierjen e rikotës dhe sheqerit dhe e mbulojmë me pjesën tjetër të brumit duke i mbyllur mirë skajet.

Hapi 5
Lyejmë sipërfaqen e tartës me vezën e rrahur dhe pak qumësht dhe e pjekim në furrën e nxehur, derisa tarta të marrë ngjyrë të artë. Përpara se ta shërbeni, lëreni tartën të ftohet plotësisht. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/08/15/dieta-ushqimore-e-romakeve-te-lashte-nje-kuzhinier-po-rikthen-recetat-e-tyre-te-vjetra/

A2 CNN Livestream

Latest Videos