Ardhja e emigrantëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj, Greqi, për festat e fundvitit, ka shtuar ndjeshëm fluksin e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar të vendit tonë.
Një nga pikat më të rënduara është pikërisht ajo e Kakavijës, ku sipas informacioneve të deritanishme rezulton se, që prej mëngjesit të sotëm numri i automjeteve që kalojnë është shtuar ndjeshëm.
Burime nga policia kufitare bëjnë me dije se janë marrë të gjitha masat për përballimin e fluksit dhe aktualisht po punohet me tre sportele në dalje dhe dy në hyrje ndërkohë që pala greke po punon me dy sportele në hyrje dhe një në dalje.
Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në datën 1 janar kanë hyrë 1343 shtetas dhe kanë dalë 2617.
Në Qafë-Thanë, kanë hyrë 1492 dhe kanë dalë 1904 shtetas. (A2 Televizion)