
Qeveria ka kryer studimin dhe ka identifikuar tashmë familjet që do të preken nga rikthimi i tarifimit të energjisë elektrike. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas mbledhjes së qeverisë njoftoi se në tavolinë janë hedhur disa variante të tarifimit për familjet që konsumojnë mbi 800 kw/h.
Balluku deklaroi se çmimi i energjisë është rritur në bursat ndërkombëtare. Zv.kryeministrja shtoi se qeveria po bisedon me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë dhe do të vendoset edhe sa do të paguhet për familjet që konsumojnë energji më tepër se fasha e vendosur.
“E kemi thënë që synojmë të mos prekim çmimin e tregut. Çmimet e energjisë në bursat ndërkombëtare janë rritur. Fasha 800 kilovat orë energjie është vendosur nga ne tashmë, ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe do të diskutohet zgjidhja më e mirë e për të diferencuar atë që kemi thënë. Diferenca duhet që të bëhet. Ata qytetarë që harxhojnë më shumë do të duhet të paguajnë më shumë në faturë. Me çmimin e lartë do të paguhet vetëm diferenca, jo e gjithë vlera e energjisë së shpenzuar. Kjo diferencë mund të jetë nga 70-80% më shtrenjtë se çmimi që tarifohet aktualisht për konsumatorët, që do të thotë se çdo kilovat orë e shpenzuar mbi sasinë 800 kv, do të kushtojë gati dyfish më shtrenjtë”, tha Balluku. (A2 Televizion)