
"Serbia e di që nuk do të anëtarësohet në BE pa njohur më parë Kosovën." Kjo ishte deklarata e bërë dje në senacën dëgjimore mbi Ballkanin Perëndimor, në Kongresin Amerikan, nga kryetari i komitetit për punët e jashtme, Eliot Engel.
“Kosova është vend i pavarur për mbi një dekadë. Kosova i është bashkuar Bankës Botërore dhe FMN-së, si dhe njihet nga shumë vende. Është Serbia që duhet të lëvizë, Kosova është e pavarur, kjo nuk zhbëhet”, tha Engel.
“I bëj thirrje Serbisë të bëjë të njëjtën gjë si vendet e tjera”, tha kongresmeni, që njihet si mbrojtes i kauzës së shqiptarëve në Amerikë.
Engel theksoi se të gjithë ata që kanë kryer krime lufte duhet të dënohen, por shtoi se Serbia nuk po konsiderohet përgjegjëse.
“Duket se Serbia, pala përgjegjëse për shumicën e krimeve të luftës, nuk po përballet praktikisht me asnjë presion, brenda vendit ose nga bashkësia ndërkombëtare, për të vënë përgjegjësit para drejtësisë. Në të njëjtën kohë, Kosova, viktima e luftës, është e detyruar të krijojë një gjykatë hibride me një prokuror dhe gjykatës ndërkombëtare”, tha ai duke shtuar se nëse do të bëhej fjalë për një vend si Danimarka, do të mendonim se diçka është shumë gabim.
Madeleine Albright, ish-Sekretare amerikane e Shtetit, tha se politika e jashtme e administratës së re, drejtuar nga Joe Biden në Ballkan, duhet të mbështetet te bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Ajo tha se kjo politikë e jashtme duhet të përfshijë luftën ndaj korrupsionit dhe një qasje rajonale jo ndaj vendeve veç e veç.
“Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për të mbështetur iniciativat që ndihmojnë Kosovën, Bosnjën dhe të tjerët që të krijojnë lidhje ekonomike me Evropën dhe fqinjët, ndërsa inkurajojnë gjithashtu reformat e nevojshme politike”, tha ajo.
Albright tha se Kosova duhet të njihet ndërkombëtarisht, përfshirë të bëhet anëtare e OKB-së dhe theksoi se ky anëtarësim nuk duhet të bëhet subjekt i vetos nga Beogradi.
Ekspertë të Ballkanit i bënë thirrje administratës së ardhshme, të drejtuar nga Joe Biden, që të shtojnë vëmendjen ndaj Ballkanit dhe të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian për të zgjidhur problemet e mbetura në rajon. Ballkani ishte në qendër të një seance të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. (A2 Televizion)