Policia Kufitare në PKK Qafë Morinë ka arrestuar një 48-vjeçar, i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Shtetasi A. H. ishte në kërkim nga autoritetet pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, që e kishte dënuar me masën "Arrest në burg" për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, si dhe për mbajtjen dhe prodhimin e armëve dhe municionit pa leje.
Në maj 2024, Policia e Beratit, në kuadër të një hetimi, kishte realizuar një kontroll në shtëpinë e A. H., ku u gjetën sasi kokaine dhe municion luftarak.
Ky operacion u realizua pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Policisë Kufitare, DVP Berat dhe DVP Tiranë, që çoi në kapjen e tij në hyrje të kufirit të Morinës. (A2 Televizion)