
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se pret që Shqipëria të punojë më fort për të luftuar anëtarët e organizatës "Hizmet", të drejtuar nga kleriku në ekzil, Fetullah Gulen, të cilin ai e quan organizatë terroriste, FETO.
“Në takimet tona nënvizuam luftën tonë kundër organizatës terroriste FETO, që tentoi në 2015 një grusht shteti që donte të rrëzonte demokracinë tonë. Është e qartë që kjo strukturë e cila i ka duart e lyera me gjakun e të pafajshmëve përbën kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe vendet ku është e pranishme. Fakti që FETO është ende në gjendje të gjejë fushë veprimi në vendin mik e vëlla, e lëndon thellë vendin tonë. Pritshmëria jonë është që të ndërmerren hapa më të shpejtë dhe më konkretë kundër FETO-s në Shqipëri”, tha Erdogan.
Erdogan vlerësoi restaurimin e xhamisë së Et’hem Beut, si një përpjekje të Turqisë “për t’i kushtuar rëndësi të veçantë monumenteve që pasqyrojnë trashëgiminë e përbashkët kulturore”.
“Xhamia e Et’hem Beut është një vepër që kontribuon në strukturën historike dhe turistike të Tiranës. Bashkë me kullën e sahatit, që i përket periudhës osmane, xhamia është një nga pikat më të rëndësishme turistike. I rishikuam në detaje marrëdhëniet tona në nivel partneriteti strategjik. Shpresojmë që të mbajmë në gjysmën e parë të këtij viti mbledhjen e këshillit të përbashkët”, tha presidenti turk. (A2 Televizion)