Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri ka vetëm tre bashki pa kryetar. Ndonëse prej vitit 2019 janë krijuar vakanca të njëpasnjëshme derisa numri mbërriti në gjashtë të tilla, KQZ në përgjigjen që i ktheu Presidentit Ilir Meta, shprehet se ky institucion ka dijeni për tre bashki të mbetura pa kryetar: Shkodrën, Vorën dhe Dibrën.
Referuar tre bashkive të tjera, Durrësit, Rrogozhinës dhe Lushnjes, ndonëse nuk i përmend ato, kreu i KQZ shprehet se ky institucion nuk është njoftuar zyrtarisht për vakanca të krijuara, ndaj dhënia e një përgjigjeje të tillë është jashtë kompetencave të veta ligjore: “Për raste të tjera të vakancave të krijuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është vënë në dijeni dhe brenda kompetencave të veta ju vë në dispozicion informacionin e saktë vetëm për sa është në fushën e vet të përgjegjësisë ligjore”.
Edhe pse Kreu i Shtetit, Ilir Meta, njoftoi pak ditë më parë gatishmërinë për të dekretuar zgjedhje të parakohshme vendore në bashkitë pa kryetar, rrjedhimisht duke njohur një proces elektoral që gati i kushtoi karrigen e Presidentit, debati procedurial i dy viteve të fundit duket se vijon sërish.
Është vetë Celibashi që në përgjigjen e tij i shpjegon Presidentit nga duhet ta marrë informacionin që kërkon, shoqëruar me referencat përkatëse ligjore: “Këshilli Bashkiak njofton Këshillin e Ministrave, nëpërmjet prefektit, për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, ndërsa shkarkimi i kryetarit bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Presidenti Ilir Meta tashmë duhet të vendosë për të dekretuar zgjedhje në gjashtë bashki, duke pranuar të vërtetën publike apo të zvarrisë procesin në betejat burokratike mes institucioneve shqiptare. (A2 Televizion)