Erdogan reagon pas sulmeve ruse në Ukrainë

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2022, 13:01 | Bota
Erdogan reagon pas sulmeve ruse në Ukrainë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka reaguar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë. Ai tha se ndërhyrja ushtarake është e papranueshme.

Erdoğan theksoi se Turqia ka marrëdhënie të ngushta me të dyja shtetet dhe do të bëjë pjesën e saj për sigurinë e Ukrainës.

“Veprimi ushtarak është i papranueshëm dhe ne e refuzojmë atë. Ky hap, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe një goditje për stabilitetin e rajonit. Na vjen keq që Rusia dhe Ukraina po përballen në këtë mënyrë, pasi ne i shohim të dyja si vende mike dhe kemi marrëdhënie të ngushta politike dhe sociale.

Ne do të bëjmë pjesën tonë për sigurinë e të gjithëve në Ukrainë, me të cilët kemi marrëdhënie miqësore, këtë ia shpreha edhe një ditë më parë Presidentit Vladimir Putin.

Sot, përtej lidhjeve tona historike, po them se Turqia është pjesë e Europës dhe përpjekjet e disa qarqeve për të përjashtuar vendin tonë nga Europa janë padyshim dashakeqe. Asnjë qytetar turk nuk mund të ndihet i përjashtuar, veçanërisht i poshtëruar”, tha Erdogan.

ÇFARË DIHET DERI TANI? (A2 Televizion)

  • Në një fjalim televiziv në orën 05:55 të mëngjesit me orën e Moskës, Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi një “operacion ushtarak” në krahinën lindore të Ukrainës, Donbas.
  • Putin tha se Rusia po vepronte për vetëmbrojtje. Ai u bëri thirrje ushtarëve ukrainas të dorëzonin armët. Çdo ndërhyrje nga fuqitë e huaja kundër Rusisë do të ketë përgjigje të menjëhershme, tha Putin.
  • Kievi thotë se Rusia ka goditur me predha infrastrukturën ukrainase. Gjithashtu, thotë se ka rrëzuar disa avionë luftarakë rusë, deklaratë që mohohet nga Moska.
  • Karvanët me trupa dhe tanke ruse kanë hyrë në Ukrainë nga disa drejtime. Një karvan u fut edhe nga kufiri me Bjellorusinë, në veri të Kievit. Një tjetër nga Krimea, në jug. Gadishulli është gjithashtu pjesë e Ukrainës, por është aneksuar nga Rusia që në vitin 2014.
  • Sipas njoftimeve paraprake, të paktën 8 ushtarë ukrainas janë vrarë.
  • Në Kiev janë krijuar radhë të gjata me makina që duan të largohen nga kreyqyteti. Banorë të tjerë kanë kërkuar strehë në metro.
  • Ukraina ka shpallur ligjin Marshall. Ministri i Jashtëm, Dmytro Kubela, ka bërë thirrje për sanksione shkatërruese, përfshi edhe përjashtimin e Rusisë nga sistemi swift i transfertave bankare.
  • Çmimi i naftës u rrit në 100 dollarë për fuçi, për herë të parë në 7 vite. Monedha ruse, rubla, pësoi zhvlerësimin më të madh ndonjëherë kundër dollarit dhe euros.

A2 CNN Livestream

Latest Videos