
Ndërmjetësimi i presidentit turk, Erdogan dhe Kombeve të Bashkuara ka bërë që Rusia dhe Ukraina të bien dakord për të zgjatur më tej marrëveshjen mes Rusisë dhe Ukrainës për transportin e grurit nga territori ukrainas drejt Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Teksti i marrëveshjes ende nuk është bërë publik, teksa ishte zv/kryeministri ukrainas, Kubrakov ai që zbuloi se ajo është zgjatur dhe për 120 ditë të tjera.
Kjo është hera e dytë që marrëveshja zgjatet, pas akordit që Ukraina dhe Rusia nënshkruan në korrik të vitit të kaluar. Dy shtetet, që janë përfshirë në luftë, janë eksportuese globale të grurit dhe nënprodukteve të tij, dhe shumë shtete të botës varen prej tyre.
“Pas bisedimeve mes dy palëve është arritur zgjatja e marrëveshjes që skadonte më 19 mars. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme për qarkullimin global të ushqimit dhe falënderoj Rusinë e Ukrainën për përpjekjet e tyre, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti Erdogan për mediat vendase. (A2 Televizion)