
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka bërë të ditur se e ka bërë të qartë pozicionin për asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkohë që temë diskutimi ka qenë edhe propozimi franko-gjerman.
“Ne do të fillojmë të flasim për zbatimin e asociacionit të komunave serbe. Këtë gjë e kam bërë shumë të qartë, kështu që shpresoj se do ta kalojmë këtë krizë në një të ardhme shumë të afërt. Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi special i BE-së është këtu dhe gjithashtu shpreha mbështetjen time për përpjekjet e tij për të kaluar në propozimin gjermano-francez”, deklaroi ai pas takimit.
Ndërsa përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se sonte do të ketë takime edhe me kreun e KFOR-it dhe atë të EULEX-it. Ai tha se tensionet e krijuara në veri si pasojë e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë nuk ndihmojnë askënd.
“Kemi kriza, barrikada dhe kemi situatë të vështirë në veri të Kosovës. Pata një diskutim të gjatë me Kurtin. Nuk mund të presim që diçka e keqe të ndodhë. Askush nuk është i lumtur me këtë situatë në veri. Do të takohem me KFOR-in dhe EULEX-in pas kësaj. Jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë.
Lajçak po ashtu bëri ditur se pas vizitës në Kosovë, nesër do të udhëtojë në Beograd ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Epo, u bë pikërisht një javë që isha këtu për herë të fundit dhe ju thashë sa i lumtur isha që më në fund nuk kemi për tu marrë me kriza dhe afate, që tani mund të fokusohemi në agjendën pozitive për normalizim dhe ja, jam kthyer një javë më vonë dhe prapë kemi të bëjmë me një krizë, kemi barrikada dhe kemi shumë tensione në veri të Kosovës. Dhe për këtë arsye më kërkoi përfaqësuesi i lartë Borrell që të vija. Kjo javë është një javë e rëndësishme. Dje patëm një takim të rëndësishëm të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të enjten dhe premten do të mblidhet Këshilli Evropian dhe do të takohen krerët e shteteve të qeverive. Dje ka pasur shumë interes rreth asaj se cila është situata dhe cila mund të jetë zgjidhja, dhe për këtë arsye. Unë jam këtu, dhe do të jem nesër në Beograd për të marrë informacione nga terreni dhe gjithashtu për të provuar të identifikoj mënyrat për të mos përshkallëzuar situatën dhe si të kthehemi në gjendjen normale në mënyrë që të vazhdojmë me propozimin”, u shpreh Lajçak. (A2 Televizion)