
I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konfirmoi në vizitën e tij sot në Tiranë angazhimin e pa lëkundur të Uashingtonit për të luftuar korrupsionin, përfshirë edhe sanksionet, por nënvizoi se ajo duhet të jetë e dyanshme, me rezultate konkrete edhe nga institucionet shqiptare.
I ftuar në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, diplomati Agim Nesho u shpreh se vizita ishte pjesë e agjendës së Escobar në Ballkan, ndërsa mesazhi kryesor ishte lufta ndaj korrupsionit.
“Është një vizitë brenda agjendës së tij. Duke parë edhe intervistën e parë që ka dhënë ishte një vizitë me mesazhe shumë të qarta. Mesazhi kryesor kishte të bënte më luftën kundër korrupsionit. Në një rajon problematik ku bën pjesë edhe Shqipëria duhet të ketë një kujdes dhe këtë kujdes kanë menduar ta menaxhojnë drejt një lufte kundër korrupsionit ndaj individëve, të cilët prekin funksionimin e shtetit, por edhe ata individë që në një mënyrë apo në një tjetër marrin pjesë në një korrupsion të shoqërisë”, u shpreh Nesho. (A2 Televizion)