“Është vetëm çështje kohe përpara se ishulli i njohur i Mesdheut të goditet nga një shpërthim vullkanik”

Nga A2 CNN
27 Prill 2023, 09:44 | Bota

Kudo të hedhësh sytë në Santorini, do të të vijë në mend se ndodhesh mbi një vullkan. Peizazhet mbresëlënëse, plazhet, guralecët të krijuar nga ngurtësimi i lavës.

Bukuria marramendëse e ishullit grek është e gjitha “dhuratë” e një historiku të dhunshëm vullkanik.

Ishulli u krijua në një nga shpërthimet më të mëdha vullkane që ka ndodhur 3600 vite më parë. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shkatërroi qytetin antik të Akrotiri-t dhe solli një goditje fatale për qytetërimin që ishte vendosur në atë zonë në atë kohë.

Sot, Santorini, i njohur gjithashtu si Thira, është ishulli më i njohur i Greqisë me vila luksoze dhe resorte që ofrojnë ambiente perfekte për sete fotografike, dasma apo ceremoni të tjera.

Megjithatë, pas ngjyrave tipike të Santorinit qëndron një vullkan aktiv.

Sekretet e thellësisë

Santorini është pjesë e Harkut Vullkanik Helen, një nga fushat më të rëndësishme vullkanike në Europë në të cilën kanë ndodhur mbi 100 shpërthime në 400 mijë vite.  

Vullkani më aktiv nënujor dhe potencialisht i rrezikshëm i Mesdheut Lindor, Kolumbo, është pesë milje në verilindje të Santorinit dhe pjesë e të njëjtit sistem vullkanik. I zhytur në ujërat e Egjeut, Kolumbo ka qëndruar i qetë për thuajse 400 vite, por ai nuk është në “gjumë”.

Herën e fundit që shpërtheu në 1650 i mori jetën 70 personave dhe shkaktoi një cunami me dallgë deri në 12 metra. Pas tij, u regjistruan tërmete të fuqishme dhe pasgoditje, të shoqëruara me çlirimin e gazrave toksikë dhe shtëllungave të tymit.

Shkencëtarët e dinë se shpërthimi i Kolumbos mund të shkaktojë dëme të mëdha. Disa nga ekspeditat më të mëdha oqeanografike në botë e kanë vizituar dhe monitorimi është rritur në 20 vitet e fundit.

Një nga anijet më të mëdha kërkimore amerikane, anija e shpimit të thellë JOIDES Resolution, udhëtoi për në Santorini për misionin e saj të parë mesdhetar midis dhjetorit 2022 dhe shkurtit 2023.

Anija shpoi mbi 8000 metra nën sipërfaqen e detit dhe studiuesit mblodhën sedimente të paarritura më parë për të provuar dhe rindërtuar historinë e vullkanizmit në zonë.

Rezultatet dhe raportet fillestare priten të jenë gati më vonë gjatë këtij viti dhe pritet që t’i ndihmojnë shkencëtarët që jo vetëm të parashikojnë shpërthimet e ardhshme, por edhe të zbulojnë sjelljen e vullkaneve të tjera aktive në mbarë botën që përbëjnë një kërcënim për miliona njerëz që jetojnë në afërsi të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos