Etrit Berisha del nga spitali, nis rikuperimi post-Covid

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2020, 15:23 | Aktualitet
Etrit Berisha del nga spitali, nis rikuperimi post-Covid

Pas ankthit tani vijnë lajmet e mira. Etrit Berisha doli nga spitali i Cona-s, qendër e specializuar për trajtimin e Covid-19 dhe tashmë do të nisë periudhën e rikuperimit.

Kapiteni kuqezi u infektua gjatë angazhimeve me Kombëtaren në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Ndryshe nga shumë futbollistë të tjerë që rezultuan pozitivë, te Berisha koronavirusi u shoqërua me simptoma serioze, me të cilat 31-vjeçari do të ishte mjaft i rrezikuar nëse qëndronte në shtëpi.

Për këtë arsye, klubi i Spal vendosi që gardiani të shtrohej në spital, për t’iu nënshtruar kurimit të specializuar. Tashmë që shëndeti i kuqeziut u përmirësua, ai doli nga spitali dhe do të marrë të gjithë kohën e nevojshme për të qenë në gjendjen optimale, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në fushën e lojës.

Për momentin është e pamundur të thuhet me saktësi se kur do të mund të rikthehet Berisha mes shtyllave. Në skuadrën e Serie B po planifikojnë që të mos i kenë shërbimet e portierit edhe për të paktën një muaj.

Te Spal, shpresojnë se numri 1 do të jetë në kushtet që të zbresë në fushë pas pauzës dimërore, në mesin e muajit janar. Rikthimin sa më të shpejt të Etrit Berishës e shpreson edhe Kombëtarja shqiptare, me sfidat kualifikuese të Botërorit 2022 që nisin në muajin mars. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos