Ky dimër do të jetë i vështirë për shëndetin e popullatës. Qarkullimi i koronavirusit dhe gripit njëkohësish pritet ta rëndojnë edhe më tepër situatën. Por, në këtë periudhë që ende nuk ka grip, mjekët bëjnë thirrje vaksinimi ndaj tij.
Sipas specialistëve, jemi ende në kohë dhe kjo këshillë i bëhet veçanërisht grupeve më të rrezikuara. Sipas Erida Nelaj, specialiste në ISHP, "vaksinimi ndaj gripit ka vlerë për aq kohë sa nuk jemi prekur nga gripi, nuk ka filluar një sezon i fuqishëm i gripit, pra jemi ende në kohë, është moment i mirë për t’u vaksinuar ndaj gripit".
Ende nuk kemi një vaksinë kundër COVID-19. Ndaj edhe për të shëruarit nga koronavirusi, mjekët këshillojnë kryerjen e vaksinës së gripit, në mënyrë që t’i shpëtojnë një sëmundje dhe ulje tjetër imuniteti.

"Është e rëndësishme të mos kemi të dyja sëmundjet njëkohësisht, ose personat që kanë kaluar Covid-in të mos preken nga gripi, sepse janë rënduar një herë. Po ashtu, të sëmurët kronikë nuk duhet të preken nga gripi. Nëse ne nuk e kemi vaksinën kundër COVID-19, atë të gripit e kemi. Ndaj të gjithë personat që kanë probleme të imunitetit, sëmundje të zemrës, të diabetit duhet të vaksinohen", vijon Nelaj.
Për shkak të situatës nga pandemia, këtë vit edhe Shqipëria porositi më shumë vaksina kundër gripit të stinës. 368 mijë doza janë shpërndarë në qendrat shëndetësore dhe 38% e tyre janë aplikuar kryesisht te personeli shëndetësor, të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe te mësuesit dhe edukatorët. (A2 Televizion)