Pas vrasjes së një dite më parë të një të riu nga Policia, dhjetëra të rinj, pjesë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, marshuan nga Ministria e Brendshme në shenjë proteste për ngjarjen.
Tubuesit marshuan përmes Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, drejt Kryeministrisë. Në tubim morën pjesë edhe miq të Klodian Rashës. Ata e përshkruajnë 25-vjeçarin si person të qetë dhe që nuk ka pasur kurrë probleme me drejtësinë.
Për gazetarët, një mik i tij tha se Klodiani kishte qenë me tëdhe miq të tjerë, deri në orën 23:00, ndërsa në momentin kur është qëlluar nga efektivi i policisë, kishte dalë për të blerë diçka në një dyqan 24-orësh pranë shtëpisë.
Një tjetër protestë është paralajmëruar sot pasdite, nga shoqëria civile, rreth orës 16:30, edhe pse më parë në rrjetet sociale u njoftua se do të zhvillohej në orën 22:00.
Një natë më parë, një tjetër protestë u mbajt në Shkodër, ku persona të ndryshëm zhvilluan një marshim të heshtur duke kërkuar drejtësi për Klodianin.
Efektivi që qëlloi të riun u arrestua të martën për tejkalim të kompetencave, ndërsa familjarët e tij kërkojnë drejtësi nga shteti. (A2 Televizion)