
Për të parën herë që nga 1 janari 2002 kur valuta evropiane hyri në Shqipëri, euro ka rënë nën 114 lekë duke shënuar vlerën më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro zbriti të enjten në 113.87 lekë duke u zhvlerësuar me mbi 23 lekë në raport më 22 dhjetorin e dy dekadave më parë.
Rënia e euros këtë periudhë është normale, kjo për shkak të ardhjes së emigrantëve në vend për festat e fundvitit dhe faktorëve të tjerë sezonalë, por “rrokullisja” në këto nivele për ekspertët më shumë se sa rënia e valutës evropiane, po shkaktohet nga mbiçmimi i lekut.
All - Paragraf - 3“Rritja e normave të interesit ndikon te forcimi i lekut. Tashmë bonot e thesarit janë në një interes më të mirë dhe kjo e bën lekun më atraktiv. Të paktën kështu duket”.
Eugen Musta, pedagog ekonomie
Euro është monedha dominuese në strukturën ekonomike shqiptare dhe zhvlerësimi i saj i bën kreditë në këtë valutë më të lira, ul koston e produkteve të importuara duke ndikuar edhe në rënien e inflacionit, ndërsa ulen kostot e borxhit në euro.
Nga ana tjetër, një euro më e dobët do të thotë më pak vlerë për dërgesat e emigrantëve, ndërsa me humbje janë edhe eksportuesit, që shohin marzhet e tyre të fitimit të ngushtohen.
Duke marrë në analizë efektet pozitive dhe ato negative, për ekspertët, rënia e euros nuk i bën mirë ekonomisë shqiptare.
All - Paragraf - 7“Ekonomia dëmtohet nga një monedhë e fortë. Ky mund të jetë një moment reflektimi. Institucionet mund të ndërhyjnë për të blerë euro me qëllim stabilizimin e kursit.”
Eugen Musta, pedagog ekonomie
Krahasuar me fillimin e muajit kur një euro këmbehej me 116.86 lekë, valuta evropiane është zhvlerësuar me gati 3 lekë në raport me monedhën kombëtare. (A2 Televizion)