
Eksperti i ekonomisë, Endrit Yzeiraj ishte i ftuar në emisionin A2 Business ku foli në lidhje me rënien e ndjeshje më ka pësuar euroja dhe fluksin e saj të shtuar në treg.
Sipas Yzeirajt, zhvlerësimi i euros ka ardhur si pasojë e luftës që ka nisur në Ukrainë pasi Europa ka pasur deficite për të blerë energjinë e cila ka pësuar rritje të mëdha.
“Kemi të bëjmë me një stuhi perfekte. Prej disa vitesh kishim parë një prezencë të shtuar të euros. Ky ishte treguesi i parë. Efekti i dytë është efekti sezonal. Në gusht dhe në dhjetor për shkak të ardhjes së emigrantëve, gjithnjë kemi një prurje shtesë nga ana e tyre. Dhe efekti i tretë, euro ka qenë më e dobët dhe me monedhat e tjera gjatë gjithë vitit. Kjo për shkak të deficitit tregtar të Europës për të blerë energji, për shkak të çmimit të shtuar. Arsyeja e dytë është se agjentët e tregut përcaktojnë dhe në raport me pritshmëritë e normave të interesit. Pritet të ketë një rritje të normave të interesit dhe në SHBA dhe Shqipëri, sesa në Eurozonë. Agjentët po pozicionohen me valutat e tyre në ekonomitë e tyre”, tha Yzeiraj. (A2 Televizion)