
Ekonomistët shprehen kundër propozimit për daljen në tregje me një eurobond të ri, pavarësisht interesave të favorshme. Për ish-zëvendësministrin e Financave, Elton Haxhi, diçka e tillë do të ishte e dëmshme veçanërisht nëse bëhet fjalë për të rritur më tej borxhin publik, që ai e vlerëson në një nivel kritik.
Për ekonomistin Selami Xhepa, qeveria e ka të pamundur të rrisë nivelin e borxhit përtej atij që është miratuar në Kuvend, përkundrazi do të jetë e detyruar ta reduktojë atë. Megjithatë edhe ristrukturimi i tij drejt borxhit të jashtëm do të sillte me vete shumë rreziqe.
Për Xhepën, një arsye shtesë pse duhet evituar rritja e borxhit të jashtëm, është fakti se interesat që paguhen, nuk rikthehen në ekonomi.
Alternativë sipas Xhepës mund të ishte emetimi i një obligacioni afatgjatë në euro në tregun e brendshëm, për të shfrytëzuar edhe niveli i lartë të euroizimit që ka sot vendi. (A2 Televizion)