
Një grup civilësh janë njerëzit e parë që evakuohen nga fabrika e çelikut Azovstal në qytetin port të Mariupolit, i rrethuar nga rusët. Ata janë grupi i parë që largohen që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mbylljen e zonës së gjerë industriale javën e kaluar. Ndërsa bisedimet janë duke vazhduar për lirimin e 1,000 civilëve të raportuar se janë të bllokuar ende brenda.
Fabrika e çelikut Azovstal është bërë bastioni i fundit mbrojtës në qytetin jugor, me forcat ukrainase që vazhdojnë të mbrojnë vendin kundër forcave ruse.
Ukraina nuk ka dhënë shifra se sa ushtarë janë të vendosur në uzinë, por mediat shtetërore ruse raportuan se 25 civilë ishin evakuuar nga uzina të shtunën.
Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti tha se 19 të rritur dhe gjashtë fëmijë u nxorën jashtë, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar trupat e tij të mbyllnin fortesën “në mënyrë që të mos kalonte as një mizë”. (A2 Televizion)