
250 mijë dozat e vaksinave Coronavac të mbërritura nga distributori turk në Shqipëri janë ezauruar. Fushata e vaksinimit është ulur ndjeshëm, e madje nuk po marrin dozën as ata qytetarë të vaksinuar gjatë muajit prill.
Kanë ditë të tëra që vihen në radhë, por përgjigjja është e njëjta, "s'ka vaksina".
Probleme janë hasur edhe në qendrat shëndetësore, si dhe në stadiumin Air Albania. Dozat e dyta të vaksinave kanë përfunduar dhe të moshuarit orientohen drejt sheshit Skënderbej.
Sipas Erida Nelajt, ISHP ndoqi një skenarin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të vaksinuar sa më shumë qytetarë.
Autoritetet njoftojnë se janë kryer 700 mijë vaksinime, por pa treguar sesi ka vijuar ky proces. Vetëm në javën e fundit kemi një rënie të numrit të vaksinimeve me afro 25%. Të dhënat tregojnë se edhe në raport me vendet e BE, Shqipëria është gati dy herë më mbrapa sa i përket dozave të kryera. Kjo situatë reflektohet në terren me zvarritje e kryerjes së vaksinave.
Të revoltuar qytetarët shprehen se vaksinimi masiv funksionoi vetëm për fushatën elektorale.
Me proces vaksinimi të ngadalësuar si dhe mungesë të dozave, autoritetet thonë se po përshpejtojnë diskutimet për mbërritjen e 500 mijë dozave të vaksinës. (A2 Televizion)