
Një person i cilësuar si me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar vihet në pranga nga forcat e policisë në aeroportin “Nënë Tereza”.
Bëhet fjalë për shtetasin egjiptian të identifikuar nga A2 si 50-vjeçari Mohammed Khairy Amer Rageh, i kërkuar në kërkim ndërkombëtar nga Interpol për vrasje me dashje, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Personi kishte tentuar të hynte në Shqipëri si turist.
Sipas informacioneve, Rageh në nëntorin e vitit 2019 ka vrarë me armë zjarri shtetasin egjiptian M. A., në Giza të Egjiptit, dhe më pas ka marrë automjetin e viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
ZQK INTERPOL Tirana, në bashkëpunim me INTERPOL Kajron do të vijojë procedurat për ekstradimin e tij drejt Egjiptit, bazuar në marrëveshjen e ekstradimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Arabe të Egjiptit. (A2 Televizion)