Ferrari zbuloi makinën e Botërorit 2021 në Formula 1. Risitë në njëvendëshen me emrin SF21 janë të dukshme që në pamjen e jashtme. Trupi i makinës është revolucionar dhe ka dy ngjyra, ku e kuqja tradicionale i lë vendin vishnjes në pjesën e pasme. Ajo ishte ngjyra e përdorur në makinën e parë të prodhuar në Maranello.
Ndryshimet nga sezoni i kaluar u shpjeguan nga drejtuesi i skuadrës, Mattia Binotto. Për shkak të kufizimeve që imponohen nga rregullorja, makina e re e Charles Leclerc dhe Carlos Sainz bazohet te modeli i një viti më parë. Skuadra gjithsesi ka punuar që ta përmirësojë në të gjithë komponentët e saj.
Pjesa aerodinamike është rindërtuar, ashtu si edhe fuqia motorike. Për “Kokëkuqen” ky është sezoni i sfidave të mëdha, mbi të gjitha pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme në periudhën e fundit.
Në eventin e prezantimit, të zhvilluar “online” për shkak të masave kufizuese, Binotto sqaroi se Ferrari niset nga e kaluara historike për t’u projektuar drejt së ardhmes.
Skuadra ndodhet në Bahrein, aty ku do të nisë menjëherë testimet e makinës gjatë tre ditëve në vijim. Te Ferrari nuk kanë kohë për të humbur, pasi gara e parë e Botërorit zhvillohet më 28 mars, pikërisht në cirkuitin e Sakhir-it. (A2 Televizion)