
Pasi u njoftua me bujë garimi edhe në Hanoi të Vietnamit, organizatorët e këtij Çmimi të Madh e anuluan atë për shkak të pandemisë dhe kjo jo për fajin e tyre, por prej problemeve politike të shtetit vietnamez.
Në këtë mënyrë, kalendari i ri provizor i publikuar këtë të martë nga Formula 1 është projektuar me 22 garat tradicionale, të cilat janë zhvilluar çdo vit në datat përkatëse dhe vetëm nëse edhe Çmimi i Madh i Hanoit do të zëvendosohet, atëherë do të ketë edhe një shtim të numrit të tyre.
Botërori i vitit 2021, është programuar i njëjtë si në vitet e kaluara, me ndryshimin e vetëm që do të jetë garimi për herë të parë edhe në Arabinë Saudite dhe me Brazilin, që vitin e ardhshëm mund të ketë pistë të re, sërish në Rio de Zhaneiro.
Formula 1 do të nisë si zakonisht me garën e Australisë në mesin e muajit mars dhe do të përfundojë me garën e Abu Dabit, në dhjetor. Kalendari do të jetë padyshim subjekt ndryshimesh në varësi të situatës me pandeminë dhe masave që secili shtet do të ketë vitin e ardhshëm.
Organizatorët e garave shpresojnë që nëse situata do të përmirësohet, kalendari do të konfirmohet dhe tifozët do të rikthehen, ndryshe nga kushtëzimet e këtij viti, të cilat bënë që të anulohen 10 garat e para të sezonit dhe kalendari të improvizohet me pjesën më të madhe të tij të përqendruar në Evropë. (A2 Televizion)