Faktori serb e rus në rajon, Mediu: Pasojat gjeopolitike që krijohen për sigurinë tonë kombëtare

Nga A2 CNN
3 Prill 2023, 21:51 | Politikë
Faktori serb e rus në rajon, Mediu: Pasojat gjeopolitike që krijohen

Në Hagë ka nisur sot gjykimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, për kreun e Partisë Republikane nisja e këtij proces nuk duhet parë si moment i shkëputur, por si një qasje dhe koordinim i Rusisë dhe Serbisë ndër vite.

I ftuar në “Ditari” në A2 CNN, Mediu theksoi se nga kjo qasje e Serbisë dhe influencës ruse në rajon, krijohen pasoja gjeopolitike që lidhen me sigurinë tonë kombëtare dhe të rajonit.

“Qasja e Serbisë është rikthimi i identitetit serb si në kohën e ish-Jugosllavisë,” shtoi Mediu.

Për ta vënë situatën në kontekst, Mediu kujtoi Bosnje-Hercegovinën që po dominohet nga faktori serb, i kombinuar me atë rus, zgjedhjet në Malin e Zi, por edhe stërzgjatjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, konfliktet në Veri të stimuluara nga prezenca serbe etj.

Për këto arsye, Fatmir Mediu theksoi se është e nevojshme një analizë e qartë e pozicionit të cilit ne duhet të mbajmë si vend i vogël që jemi.

E ndërsa Finlanda u bë sot vend anëtar i NATO-s, kreu i PR-së theksoi se për kontrast, ajo që po ndodh në Moldavi është sinjal shqetësues.

“Vizita e presidentit kinez në Rusi është tregues i formimit të një poli të rëndësishëm kundër SHBA, NATO-s e BE-së. Ne si vend i vogël duhet të dimë ku e kemi peshën tonë,” shtoi ai.

Sipas Mediut, për t’u ndeshur më atë që po ndodh me UÇK-në apo me çështje të sigurisë në rajon, duhet krijuar një bosht i marrëdhënieve tona që lidhet me perëndimit me anë të Procesit të Berlinit, por edhe me vendet e rajonit me anë të NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos