
Mazhoranca vijon të marrë kohë me teknika legjislative, duke shtyrë vendimmarrjen në Kuvend sa i përket mandatit parlamentar të ministres Olta Xhaçka. Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, socialistët pohuan se ishin të paqartë mbi qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartësisht e detyron Kuvendin t’i dërgojë çështjen e mandatit të Xhaçkës për gjykim. Por, kolegët e saj të partisë vendosën të marrin mendimin e ekspertëve për të kuptuar se çfarë ka thënë gjykata në vendim.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës vijon të mbetet i paqartë për socialistët. Ndonëse trupa e thotë shprehimisht se të drejtën për shqyrtuar legjitimitetin e mandatit e ka vetëm Gjykata Kushtetuese, për socialistët, mënyra se si është shkruar vendimi lë hapësirë për interpretim. Leximi për ta kërkon sqarim nga ekspertë kushtetues. Klotilda Bushka shprehet: “Ndoshta ju lodha një orë, por të gjitha shqetësimet e mia në lidhje me këtë çështje jua shpjegova shumë qartë për të kuptuar se na duhet një debat i thellë për këtë çështje. Dhe unë s’jam serioze zoti Bardhi në këtë pikë. Edhe ju po të kishit qenë, të njëjtin qëndrim do të kisha mbajtur. Nuk jemi këtu për të mbrojtur njeri”.
Bardhi u përgjigj me ironi: “Merrni burrin e Olta Xhaçkës ekspert”.
Kjo taktikë u konsiderua nga opozita si tentativë për të mbrojtur ministren Xhaçka. Gaz Bardhi: “Nuk paguhet stafi i Kuvendit për këtë, të bëjmë studime se si të shpëtojmë Olta Xhaçkën nga Gjykata Kushtetuese. Kur t’ju thotë Olta, mor po si votuat që ma çuat në Gjykatë Kushtetuese, do i thoni: motër, s’kemi çfarë të bëjmë se na ka thënë Gjykata Kushtetuese”.
Pavarësisht debatit disa orësh, në fund forca e kartonit fitoi. Socialistët duket se do të vijojnë me strategjinë për të fituar kohë për të mos dërguar në Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetit për Olta Xhaçkën. (A2 Televizion)