
Mbi 50 mijë njerëz mbushën sheshin “Shën Pjetër” të Vatikanit që në orët e para të së enjtes, për t’i bërë homazhet e fundit Papa Emeritus, Benedikti i 16, i cili shkroi historinë duke dhënë dorëheqjen nga posti, e për të marrë pjesë në një meshë të rrallë funebre nga Papa aktual, për paraardhësin e tij.
Teologu gjerman vdiq të shtunën në moshën 95-vjeçare, gati një dekadë pasi u bë Papa i parë në 600 vjet që dha dorëheqjen për shkak të moshës së thyer. Ai tani bëhet Papa i parë në historinë moderne të Kishës Katolike që përcillet nga pasardhësi i tij në krye të Vatikanit, i cili mbërriti me karrige me rrota në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa Frabncesku, i cili vuan nga problemet në gju, falenderoi Benediktin e 16 për dijen dhe përkushtimin që tregoi gjatë Papatit të tij.
“Ne përgëzojmë mëshirën tënde për Papa Emeritus Benedikt, të cilin e bëre pasues të Pjetrit dhe bari të Kishës, një predikues të patrembur të fjalës sate dhe një shërbëtor besnik të mistereve hyjnore”, tha Papa Francesku.
Benedikti udhëhoqi Kishën katolike për 8 vjet, para se të dorëhiqej në 2013-tën. Ai zgjodhi të jetë Papë Emeritus para abdikimit, në vend t’i rikthej emrit Josef Ratzinger dhe vazhdoi të jetojë në Vatikan. Kardinalë, klerikë nga e gjithë bota e po ashtu krerë shtetesh dhe pjesëtarë të familjeve mbretërore morën pjesë në funeral. (A2 Televizion)