Falsifikimi i kartave të vaksinimit ndaj Covid-19, policia kontrolle në shtëpinë e Bolsonaro-s

Nga A2 CNN
3 Maj 2023, 19:13 | Bota

Policia Federale e Brazilit ka vënë në pranga një nga ndihmësit më të afërt të ish-presidentit të vendit Jair Bolsonaro. Arrestimet janë bërë në kuadër të një hetimi rreth një bande që dyshohet se ka falsifikuar të dhëna rreth kartave të vaksinimit kundër Covid-19.

CNN Brasil raporton se 16 mandate për kërkim dhe konfiskim janë lëshuar për hetimet në fjalë.

“Sot Policia Federale bëri një kontroll dhe sekuestro në shtëpinë tonë, nuk e dimë arsyen dhe as avokati ynë nuk kishte akses në dosje. Vetëm celulari i burrit tim u sekuestrua”, shkroi në Twitter Michelle Bolsonaro.

Nga shtypi mësuam se arsyeja ishte falsifikimi i kartave të vaksinimit të bashkëshortit tim dhe vajzës sonë Laura. Në shtëpinë time isha vaksinuar vetëm unë”, shtoi ajo.

CNN Brasil raporton se vajza 12-vjeçare e Bolsonaro-s, gruaja dhe këshilltarët e ish-presidentit janë gjithashtu nën vëzhgimin e Policisë Federale.

Bolsonaro u tha gazetarëve të mërkurën se ai nuk ishte vaksinuar kundër Covid-19 dhe nuk kishte asnjë ngatërrim me kartën e tij të vaksinimit.

Një deklaratë nga policia braziliane thotë se ata po analizojnë materialin e sekuestruar gjatë kontrolleve dhe po intervistojnë njerëz që ata thonë se mund të kenë informacion në lidhje me hetimin e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos