
Të identifikohesh sot nga fanella që mban veshur është një mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Megjithatë, kohë më parë, ky fenomen ka ekzistuar dhe në Shqipëri, ku futbollistë të veçantë ktheheshin në emblemën apo simbolin e një skuadre dhe jepnin gjithçka për fanellën që mbanin veshur.
I tillë është rasti dhe i legjendës së Dinamos, Faruk Sejdini. Mbrojtësi i hekurt dinamovit që dha kontributin e tij fillimisht si lojtar për 16 vite dhe më vonë si trajner për plot 30 vite. Gjithçka nisi kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Familja e tij ishte kundër që djali i tyre të bëhej një futbolist, kjo për shkak se primare konisderonin shkollën, ndërsa për Farukun nuk mbetej gjë tjetër veçse të tregonte se shtëpia e tij ishte vetëm fusha e blertë.
Edhe kështu rezultoi në fakt. Si lojtar, Faruk Sejdini fitoi 5 herë titullin kampion me Dinamon dhe 3 Kupa Republike, më pas vazhdoi historinë e tij në pankinë, ku fitoi titullin me klubin kryeqytetas në sezonin 2001 -2002.
“Luanim me Tiranën, atë vit që dolëm kampionë. Arbitrin, ngaqë kishim kontradikta, se ishim pikë më pikë për të dalë kampion, e morëm spanjoll. Dhe e morëm këtu në stadiumin “Qemal Stafa”, shumë njerëz kishte… Ekipi eci me një sinkron që edhe mua nuk po ma merrte mendja, i kaloi pritshmëritë e mia dhe më thithi ekipi, më mori edhe mua me vete. Aq u kënaqa, saqë i lashë futbollistët të bënin edhe ndonjë gjë jashtë natyrës sime. Se unë kam qenë “deri në minutën e 90-të, bëj gol...”, nuk i besoj futbollit, pa rënë bilbili nuk i besoj. Aq më mori loja, saqë i tolerova, e ula tonin, u kënaqa edhe vetë... Edhe filluan të bënin ndonjë përkëdhelje, ndonjë spektakël... që unë nuk jam i spektaklit në futboll, unë jam pragmatist. Fito ndeshjen, pastaj hajde bëjmë spektaklin pas ndeshjes. Edhe i tolerova dhe na bëri Tirana gol, na barazoi. Edhe pastaj shkoi loja si shkoi. Kampionatin e morëm, por u shtrëngua. Kam thënë që atë ndeshje e kam humbur unë. Nuk e humbëm, barazuam, por e humba unë”, kujton Sejdini.
“Xhaxhi”, siç të gjithë e thërrisnin, u bë personazhi i preferuar jo vetëm i tifozerisë dinamovite, por i të gjithë dashamirësve të futbollit shqiptar. Emri i tij mbushte gazetat e asaj kohe. Përballja me Beckenbauer, Muller e Overath janë disa nga momentet që kujton dhe sot, pas më shumë se 50 vitesh.
Një tifoz i çmendur i Partizanit që sapo veshi fanellën e Dinamos, u dashurua me të dhe nuk e braktisi kurrë, edhe nëse transferohej tek një tjetër klub.
“Dinamo e viteve ’90 ngeli jetim, të gjithë e sulmonin. Unë qëndrova dhe besoj se kam bërë më të mirën e mundshme. Atë klub kanë dashur që ta marrin që në vitin 1992. Unë mund të kem bërë maksimumin e mundshëm sepse atëherë kisha emër dhe ata që e drejtonin ishin të moshës sime dhe më besonin në punën time. U bë një lojë që i përkonte kohës atëherë”, kujton Faruk Sejdini.
Nëse do ta krasojmë futbollin para viteve ‘90, me atë që ne shohim sot, ka ndryshuar tërësisht. Ka humbur pasioni, ka ndryshuar motivimi, regjimi i çdo lojtari dhe gjithçka është kthyer në një dëshirë për të fituar sa më shumë para: “Dinamo e emancipoi futbollin shqiptar. Kishim identitetin e fanellës, por të gjithë ishim me rroga. Të gjithë ishim në një nivel mesatar. Por, klubit iu mor prona. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, e nxorën në rrugë”.
Duke e pare skuadrën e tyre në atë gjendje, pyetja që bëhet më shpesh nga të gjithë tifozët dinamovit është: a do të dominonte Dinamo e Faruk Sejdinit, apo Ilir Përnaskës, futbollin sot?
“Unë them se Dinamo e viteve ’74-’76 ka qenë më e mira. Bëj bilancin e elementeve që kishte edhe si trajner, edhe si lojtar. Ka qenë e kompletuar. U bashkuan të gjithë në një moment të caktuar. Prandaj them se është e paarritshme. Ndërsa pas viteve ’90, Dinamoja e sezonit 2001-2002 ishte absolute. Automatizoi veprimet”, tregon Sejdini.
Një nga momentet më enigmatike ishte kampionati i vitit 1967, kur titulli kampion ju hoq Tiranës dhe ju dha Dinamos. Një trofe që bardheblutë e vuajnë shumë edhe sot e kësaj dite. Por, si është e vërteta?
Sejdini thotë: “Tirana thotë se Tiranën dhe Partizanin i përzunë që të dilte Dinamo kampion. Si mund të përzinte Kadri Hazbiu, Beqir Ballukun? Nuk kishte sens. Ai sistem vuante shumë për të treguar që ne bëjmë shembuj, ne luftojmë edhe brenda gjirit tonë. Dënoi Partizanin, keq. Dënoi Tiranën, keq. Dhe për të bërë shembull që ne, këto versione duke u zënë me grushte janë shfaqje të huaja, Partia i lufton, i përzuri të dy sepse nuk gjente dot balancë në mes. Dhe i përzuri të dy, Dinamo ishte e treta”.
Sot që flasim, Dinamo e Faruk Sejdinit ka ndryshuar tërësisht. Edhe pse fillimisht u tregua si një projekt serioz dhe ambicioz për të ardhmen, nuk rezultoi kështu. Sipas profesor Sejdinit, problem kryesor i futbollit shqiptar mbetet infrastruktura: “Kemi kampionat me 10 ekipe, ku 5 nuk kanë stadium. Partizani luan në Elbasan, Kukësi po ashtu, Durrësi rrugëve gjithë kampionatin që kaloi... Një kampionat me 5 nomadë, si do të shkojë? Kur nuk ke fushë për të luajtur, llogarit se çfarë bëhet me stërvitjen. Nuk duhen licencuar klubet pa stadium e pa fusha. Asnjëri nuk i ka një stadium dhe dy fusha për stërvitje”.
I njohur për natyrën e tij të drejtpërdrejt dhe të thënit gjërat ashtu siç janë, Sejdini tregon se për çfarë vuan sot futbolli shqiptar: “Në një stadium bosh, edhe tifozi e humbet besimin. Sporti ka enigmën që tërheq”.
Edhe pse drejtoi skuadra si Besa, Luftëtari apo Skënderbeu, Faruk Sejdini konsiderohet një emblemë e ekipit të Dinamos dhe lojtar si ai vështirë se mund t’i rikthehen futbollit shqiptar. (A2 Televizion)