
Fasha prej 800 kilovat është deri më 31 dhjetor, por Balluku deklaroi se në ditët në vijim do të ketë një komunikim publik në lidhje me këtë. Në një deklaratë për A2 CNN, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë garantoi sigurimin e energjisë elektrike për konsumin vendas, mundësuar kjo edhe nga situata e reshjeve.
“Fasha prej 800 KV është deri më 31 dhjetor. Do kemi një komunikim publik në ditët në vijim se deri më 10 dhjetor mbyllet faturimi i muajit të mëparshëm dhe kushtet sot në kaskadë janë pozitive, jo optimale se jemi në 280 metra. Parashikohet që gjatë datës 12 të ketë një sasi të konsiderueshme reshjesh në zonën e interesit. Ne presim reshje dhe kështu sigurojmë energjinë elektrike për konsumin vendas. Do të kemi mundësi të ofrojmë shërbimin dhe duke optimizuar kaskadën”.
Ajo theksoi se Shqipëria nuk importon energji kur prodhon, ndërsa shtoi se që nga data 19 nëntor vendi ynë ka eksportuar energji. Balluku akuzoi opozitën që politizon edhe fenomenet natyrore dhe dezinformon qytetarët.
“Siguria e digave është prioriteti i qeverisë shqiptare se dëmtimi i tyre do ishte fatalitet i jashtëzakonshëm. Duhet kuptuar balanca e komisionit dhe që ka një radhë prioritetesh. Kontributi kryesor i përmbytjeve në Nënshkodër nuk është kaskada, por fryrje lumit të Bunës dhe shumë faktorë të tjerë. Por fenomenet natyrore politizohen dhe ti duhet t’u tregosh me fakte kundërshtarëve. Shqipëria nuk importon energji kur prodhon dhe kemi transparencë të jashtëzakonshme. Ne kemi eksportuar nga data 19, e më pas kemi filluar të eksportojmë duke sjellë të ardhura në arkën e KESH. Ne importojmë kur kaskada nuk prodhon dhe këto janë të gjitha të faktuara. Çdo proces politizohet dhe përdoret për arsye opozitare, por nuk dezinformohen qytetarët. Problemi është se dezinformimi e kapërcen etikën e politikës dhe opozitarizmit”.
Në tryezën e sotme të samitit të BE-së në Tiranë do të diskutohet edhe kriza energjetike, për të cilën Balluku tha se BE-ja mbështet me veprime konkrete Ballkanin dhe Shqipërinë.
“Është një veprim konkret. Ne kemi përfituar pjesën e parë të paketës, në vizitën që presidentja e KE-së pati në Shqipëri, bëri të ditur se vendet Ballkanit Perëndimor do të mbështetet me injektim direkt buxhetor për mburojat sociale, për qytetarët në rastin e Shqipërisë edhe për bizneset e vogla. Shqipëria ka përfituar 80 milionë euro që do të përdoren për të mbrojtur qytetarët për krizën energjetike. Në janar 2023, presim hapjen e paketës së dytë të mbështetjes për vendet e BP që do të arrijë 500 mln euro e do të destinohen për projekte që kontribuojnë në eficiencën e energjisë, ne jemi të përgatitur. Kemi 3 projekte të bazuar mbi prodhimin e energjisë së rinovueshme. Ajo çka ndodhi gjatë kësaj vjeshte ishte çelësi i suksesit. Eficienca energjetike është çelësi për të zgjidhur këtë krizë”. (A2 Televizion)