Samiti BE-Ballkani Perëndimor, blindohet Tirana

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2022, 07:44 | Politikë
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, blindohet Tirana

Zhvillohet sot në Shqipëri samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku liderët e bllokut 27 vendësh dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen së bashku me zyrtarë të Komisionit Evropian dhe Këshillit Europian. Qeveritarët e kanë konsideruar një ditë historike për vendin, pasi për herë të parë në Tiranë do të mbahet një samit i përmasave të tilla.

Temat kryesore të tij do të jenë te lufta në Ukrainë, migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.

Një pjesë e liderëve ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar të hënën, një ndër to, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ndonëse deklaroi pak ditë më parë se nuk do të vinte në samit, pasditen e së hënës konfirmoi pjesëmarrjen.

Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë, duke “blinduar” kryeqytetin. Një pjesë e rrugëve do të jenë të bllokuara dhe ka devijim të rrugës edhe për disa akse interurbane të Tiranës.

Policia e Tiranës bën të ditur se bllokimi i lëvizjes në këto akse do të nisë nga ora 06:00, e mëngjesit të së martës deri në orën 18:00. Në disa rrugë u vendos perimetër sigurie, që në datën 5 dhjetor në orën 14:00.

Samiti i së martës do të zhvillohet mes protestave të drejtuara nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzon qeverinë Rama për korrupsion dhe se nuk bën asgjë për të parandaluar emigracionin masiv.

Berisha ka thënë se protesta do të mbahet në orën 12:00 para Kryeministrisë. Edhe pse policia nuk ka dhënë leje për protestën, kreu demokrat  ka deklaruar se populli opozitar do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/05/samiti-i-6-dhjetorit-policia-publikon-masat-rruget-qe-do-te-bllokohen-dhe-oraret/
https://a2news.com/2022/12/05/rruget-qe-bllokohen-ne-tirane-qe-nga-5-dhjetori/
https://a2news.com/2022/11/30/samiti-i-be-ne-tirane-zbardhet-agjenda-e-6-dhjetorit-policia-ne-16-nivele-sigurie/

A2 CNN Livestream

Latest Videos