DASH publikon raportin për Klimën e Biznesit në Shqipëri

Nga A2 CNN
27 Shtator 2025, 22:43 | Aktualitet

DASH publikon raportin për Klimën e Biznesit në Shqipëri

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për Klimën e Biznesit në Shqipëri për vitin 2025, duke theksuar si potencialet, ashtu edhe sfidat serioze që vendi përballet në tërheqjen e investimeve të huaja.

Sipas raportit, Shqipëria ofron mundësi të mëdha në fusha si energjia, turizmi, shëndetësia, bujqësia, teknologjia dhe minierat. Megjithatë, informaliteti i lartë, korrupsioni dhe sfidat ligjore po pengojnë zhvillimin ekonomik dhe po frenojnë besimin e investitorëve.

“Pavarësisht rritjes së vazhdueshme ekonomike, Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”, thuhet në raport, duke përmendur faktorë si korrupsioni në sektorin publik dhe gjyqësor, konkurrenca e padrejtë, mungesa e transparencës, ekonomia informale dhe pastrimi i parave.

DASH vë në dukje se investimet direkte të huaja janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, ku Holanda, Zvicra, Kanadaja, Italia, Turqia dhe Austria kryesojnë listën. Investimet amerikane janë ende të ulëta, por në rritje.

Raporti veçon edhe problemet e pazgjidhura me pronësinë, që kanë ndikuar në mosmarrëveshje të zgjatura ligjore, ku shumë shtetas amerikanë me origjinë shqiptare janë përfshirë në procese gjyqësore të stërzgjatura.

Pavarësisht ekzistencës së një kuadri ligjor për luftën kundër korrupsionit, zbatimi mbetet i dobët. DASH thekson se progresi i mëtejshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe dënimet për korrupsion të nivelit të lartë janë çelësi për përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregun global. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos