
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dha miratimin për përdorim urgjent të ilaçit antiviral të kompanisë Pfizer kundër COVID-19.
Ky është trajtimi i parë që mund të merret në shtëpi dhe që pritet të bëhet një mjet i rëndësishëm në luftën kundër përhapjes me shpejtësi të variantit Omicron.
Provat klinike të Pfizer-it treguan se ilaçi i quajtur Paxlovid ishte 90% efektiv në parandalimin e shtrimeve në spital dhe vdekjeve te pacientët me rrezik të lartë për t'u prekur rëndë nga sëmundja. Të dhënat e fundit laboratorike sugjerojnë se ilaçi e ruan efektivitetin e tij edhe ndaj variantit Omicron.
Agjencia autorizoi ilaçin, për trajtimin e rasteve të lehta dhe mesatare të sëmundjes për personat nga 12 vjeç e lart, të cilët janë në rrezik të lartë të preken nga format e rënda të sëmundjes.
Ilaçi merret vetëm me recetë dhe trajtimi me të duhet të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur pas diagnostikimit me COVID-19 ose brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave. (A2 Televizion)