
“Fëmijëve sot u bëhet gjithçka e gatshme, janë depresivë, qaramanë, nuk përballen dot me stresin dhe janë të papërgatitur për jetën që i pret, kontingjent për ilaçe dhe shtet-gjyshe që do t’ u sigurojë të gjitha”. Kështu u shpreh në studion e “Absolut 4”, pedagogu Ermal Hasimja duke folur për fiktivitetin e notave përballë trysnisë shoqërore për të kapur notën 10 por jo dijen. Ai renditi edhe dy kërkesat e fiktivitetit.
“Fiktiviteti ka dy kërkesa; një për egon e prindërve që duan t’i mbushin mendjen vetes që fëmijën e kanë exelent. Pjesa e dytë është efikase, të çon te mjekësia dhe inxhinieria informatike. Nxënësit mësojnë gjithnjë e më pak, punojnë gjithnjë e më pak dhe ankohen më tepër dhe notat i duan më të larta. Elementi i dytë është futja në universitet”.
Hasimja theksoi se Shqipëria është ndër vendet e rralla në botë që nuk ka konkurs për mjekësi. Ai sugjeroi që për degë të tilla që kërkojnë mesatare 10 të bëhet konkurs dhe në këtë mënyrë nxënësit nuk do të kërkojnë notën 10 por dijen.
“Te degët që kërkojnë mesataren 10 ti i bën me konkurs e bën digjitale. Ndaji sipas zonave, jepu laptop dhe kur klikon të dalin rezultate dhe kjo të detyron që këta mijëra veta që duan mjekësi që të nesërmen ata do kapin mësuesin dhe do t’i thonë që nuk më duhet 10 jote por dija”.
Ai tha se ia ka propozuar këtë gjë kryeministrin, por kjo zgjidhje ngeci për shkak të mosdakordësisë së ministres së arsimit të asaj kohe Besa Shahinit, e cila theksoi ai ishte për trajtimin e barabartë të nxënësve dhe jo meritokracinë.
“E kam propozuar këtë gjë më herët, kam fol edhe me kryeministrin, u tregua i gatshëm, u bllokua procesi për shkak të Besa Shahinit, e cila ishte kundër kësaj nisme. Mendonte që të gjithë të trajtoheshin të barabartë. kjo është një logjikë që e konsiderojnë të majtë, por kjo do të ishte zgjidhja edhe pse ngeci, por është e realizueshme”. (A2 Televizion)