
Plantacione të tëra më mollë në fshatrat e Korçës tashmë janë të zhveshura. Qindra rrënjë po priten çdo ditë, pasi shitja e mollëve nuk po u siguron më fermerëve as shpenzimet e shërbimeve. Këta të fundit shprehen se të paktën nuk po paguajnë shtrenjtë drutë e zjarrit për t’u ngrohur.
Këto janë pamje që çdo bujk apo banor i fshatit nuk do të donte t’i shikonte. Por në Zvezdë të Korçës, fermerët janë detyruar të presin plantacionet me mollë që dikur ishin të ardhurat kryesore për to. Qindra drurë frutorë të mollës janë prerë, pasi fermerët nuk kanë mundësi as të bëjnë shërbimet më minimale.
Arsyet i tregojnë vetë fermerët. “Po bën gati 23-24 vjet është mbjellë dhe tani i premë i shkulëm se nuk ka më vlerë, nuk shitet molla. Edhe këta që janë afër meje do t’i i presin. Më shumë ka harxhe sesa fitim”, thotë një prej banorëve.
E njëjta situatë edhe në Mnaçurisht. Pemët e mollëve janë kthyer në dru zjarri. Banorët shprehen se të paktën nuk do paguajnë për dru zjarri pasi shitja e mollëve ka kohë që nuk u jep më të ardhura. “Mollën e hidhte djali në kanal. 10 dynymë me 30 lekë”, thonë të tjerë.
Juglindja e njohur për kultivimin e mollëve, shumë shpejt duket se do ta humbë këtë famë. (A2 Televizion)