Ferrari vijon formën fantastike, Leclerc fiton duelin e parë ndaj Verstappen

Nga A2 CNN
9 Prill 2022, 11:02 | Sporte të tjera

Me një xhiro fantastike në fund, Charles Leclerc regjistroi kohën më të shpejtë në pistën e Melburnit dhe la pas Max Verstappen, në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Australisë.

Piloti i Ferrarit u tregua 286 të mijëtat më i shpejtë sesa holandezi i Red Bullit, ndërkohë që nga vija e dytë do të nisen Sergio Perez (Red Bull) dhe Lando Norris (McLaren).

Menjëherë pas tyre, dy makinat Mercedes, me Lewis Hamilton që u tregua pak më i shpejtë sesa shoku i tij i skuadrës, George Russell.

Paraqitje e dobët e makinës tjetër Ferrari, me Carlos Sainz i cili regjistroi kohën e nëntë më të shpejtë, edhe për faj të flamurit të kuq që ndërpreu provat vetëm disa metra përpara se spanjolli të kalonte vijën e finishit.

Gara e tretë e Botërorit të Formula 1 do të zhvillohet të dielën, në orën 07:00 me orën shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos