Vuçiç s’i trembet arrestimit, Lista Studentore humb një mandat, burgosen zyrtarë të lartë

Nga Xhevahir Qardaku
2 Nëntor 2026, 11:00 | Ballkani

Aleksandar Vuçiç pretendon se nuk trembet para kërcënimeve për arrestimin e tij. Ish-presidenti serb thotë se qeveria e re nuk ka prova apo arsye ligjore për ta bërë diçka të tillë. Në një intervistë për televizionin Pink, ai tha se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se faljet e dhëna gjatë mandatit presidencial ishin në përputhje me kompetencat e tij ligjore.

Ndërkohë, rinumërimi i votave në 53 qendra votimi në zgjedhjet e përsëritura solli ndryshime në ndarjen e mandateve në Parlamentin serb, sipas organizatës CRTA. Lista e drejtuar nga Vuçiç pritet të ketë 103 mandate, ndërsa lista e studentëve humbi një mandat dhe do të përfaqësohet me 140 deputetë. Në Kuvend hyn edhe lista e Usama Zukorliçit me një mandat, ndërsa Koalicioni Shqiptar siguroi dy vende parlamentare.

CRTA ka ngritur shqetësime për pretendimet mbi blerjen e votave dhe ndikimin në vullnetin e zgjedhësve, duke theksuar se vetëm 12 vota përcaktuan fitimin e mandatit nga lista e Zukorliçit. Paralelisht, prokuroria në Beograd ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të dy drejtuesve të lartë të policisë, të dyshuar për shpërdorim të detyrës, ndërsa po hetohen edhe pretendime për keqtrajtim dhe torturë gjatë ushtrimit të detyrës.

Kryeprokurori Nenad Stefanoviç theksoi se hetimi kishte nisur që në maj dhe nuk lidhet me procesin zgjedhor, ndërsa dy zyrtarët pritet të merren në pyetje nga prokuroria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos